Nëse po e lexoni këtë letër, atëherë një prej shumë ëndrrave të mia paska dalë nga sirtari.

Ky nuk është ‘thjesht’ një set furçash...

Është historia ime!

Ëndrra ime e nisur 4 vite më parë, që të jem e sinqertë, e kam nxjerrë nga sirtari dhe e kam kyçur sërish me dhjetëra herë. Herë prej pasigurisë, herë prej duarve që nuk ma kthyen ndihmën e herë prej netëve të gjata ku ëndrra ime nuk më dukej e madhe mjaftueshëm për të dalë në dritë.

Dhe një ditë, 3 vite më parë, e kyça ëndrrën time në sirtar për herën që unë mendoja se do ishte e fundit.

Kaloi një vit i gjatë, i mirë, i suksesshëm kudo: në punë, në universitet dhe në çdo projekt që më besonin për ta marrë përsipër. Dhjetëra bashkëpunime, njerëz të rinj, kontrata të kënaqshme, evente, promovime dhe i gjithë mundi dhe lodhja ime po shpërblehej.

Një shpërblim që në dukje shkëlqente, por që për çudinë time nuk arrinte të ma mbushte zemrën.

Një shpërblim që ma përkëdhelte egon, por që më vonë kuptova se më kishte larguar shumë gjatë prej sirtarit tim të vogël ëndërrimtar.

Dhe kështu, në një ditë krejt të zakonshme, si rrufe në qiell të hapur për të gjithë ata që kisha rrotull, unë hoqa dorë nga të gjitha ato gjërat e shndritshme që mbanin peng sirtarin tim. Ndoshta pa shumë takt, shumë papritur dhe pa dhënë shenja, po kjo jam fiks unë. Për fatin tim herë të keq e herë të mirë, asgjë nuk do më përshkruante më drejt se kaq.

Është e vështirë të konkretizosh dëshirat kur talenti yt është të ëndërrosh.

Ishte e vështirë të gjeja atë që do i jepte jetë idesë time dhe fliste të njëjtën gjuhë me mua. Unë nuk doja asgjë të jashtëzakonshme, por doja që nga mijëra sete furcash të zakonshëm, të krijoja atë më cilësorin, praktikën, të mirëmenduarin, të nevojshmin.

Atë setin që ti nuk e shet të paplotë, me motivin për të shitur një set tjetër plotësues.

Një set pa ato furçat interesante në dukje, por që nuk përdoren kurrë.

Dhe kështu nisën vizitat e mia në panairet ndërkombëtare, të cilat radhiteshin njëra pas tjetrës, derisa unë të gjeja atë çfarë kisha në mendje. Pafund takime pune, qindra mostra të testuara, ndryshim plani me dhjetëra herë – aeroporti u bë shtëpia ime e dytë.

 Zgjohesha në mëngjes me ide të reja dhe flija netëve me dyshime. Kishte momente kur mendoja ta lija fare.

Më mundonte në kokë ideja që mund t’i ofroja miqve të mi të Instagram-it një produkt që nuk përkonte me mënyrën kritike se si unë kisha shkruar review-sat e mi për ta përgjatë 5 viteve.

Por zemra më tërhiqte përpara.

Sepse e dija që diku, në mesin e atyre stendave të ndriçuara ftohtë të panaireve, do ta gjeja kompaninë që do ta kuptonte vizionin tim – dhe kështu ndodhi.

Jo vetëm që gjeta një bashkëpunëtor që ndante të njëjtat vlera me mua, por edhe arrita të krijoj një set furçash që përfaqësonte gjithçka që doja: prakticitet, cilësi dhe dashuri për detajet.

Këtë set që ju shihni sot në website, e kam kthyer mbrapsht me dhjetëra herë, çdo herë gjeja diçka për të përmirësuar.

Kur mora për herë të parë në dorë provëzën e përfunduar të setit tim, mu duk sikur mbaja në duar një copë të zemrës time, natyrës time krijuese, ëndrrën e Sarës së vogël që rrëmonte në sirtarët e makeup-it të mamasë së saj.

Por ky set nuk është vetëm ëndrra e një vajze që ka qejf të grimohet.

Është gjithë eksperienca ime e të testuarit produkte përgjatë këtyre viteve.

Është një produkt i krijuar duke qenë e vëmendshme ndaj çdo mesazhi që më keni shkruar.

Komuniteti që kemi krijuar bashkë online ka qenë busulla ndihmuese kryesore dhe për këtë ju jam mirënjohëse!

Kur më keni pyetur për sugjerime furcash makeup-i, i kam mbajtur shënim detajet që kërkonit dhe shpresoj t’ja kem arritur t’i përfshij të gjitha. Ndaj shpresoj ta doni këtë set njësoj sa e dua unë.

Ju dua dhe mos harroni kremin e diellit,

Sara e 20ecavjec ❤️