Nëse zgjedh produktet e duhura, që i pëlqejnë lëkurës tënde dhe kanë lista përbërësish cilësore dhe të balancuar, nuk është fare e vështirë. Madje 4 hapa janë mëse të mjaftueshëm për të dyja rutinat: atë të mëngjesit dhe atë të darkës. Çdo rutinë e kopsitur ka këta hapa kryesorë: pastrimin, trajtimin, hidratimin dhe mbrojtjen ndaj diellit. Në këtë blog post, hapi im i pestë i kushtohet trajtimit të zonës së syve, sepse unë jam 28 vjeçe dhe gjenetika s’mund ta ndihmojë përgjithmonë lëkurën e hollë dhe delikate poshtë syve të mi.

Rutina e mëngjesit (4 hapa)
Kjo është rutina mbrojtëse e lëkurës. Fokusi kryesor i çdo rutine dite është mbrojtja e lëkurës prej radikaleve të lira, stresorëve mjedisorë dhe sigurisht rrezatimit UV.

Si lëkurë e thatë, pastrimin e lëkurës në mëngjes e bëj përgjithësisht vetëm me ujë. Në raste të rralla, kur mund të jem djersitur gjatë natës, mund të përdor larësin tim të butë me bazë ujore. Pasi e thaj lëkurën me letra njëpërdorimshe (unë nuk përdor peshqirë për fytyrën), aplikoj një serum me antioksidantë. Në 90% të rasteve serumi është me përmbajtje vitamine C.
Vitamina C është një antioksidant i fuqishëm që ndihmon në neutralizimin e radikaleve të lira, të cilat gjenerohen prej diellit, duhanpirjes, ndotësve mjedisorë e shumë burimeve të tjera. Pra, e shtresëzuar poshtë kremit të diellit, shërben si një shtresë mbrojtëse shtesë. Përveç rolit mbrojtës, vitamina C është një stimulues i shkëlqyer i prodhimit të kolagjenit në lëkurë, duke e kthyer në një opsion të fuqishëm antirrudhë. E fundit, por jo më pak e rëndësishme: vitamina C është një përbërës depigmentues i shkëlqyer, i cili jo vetëm ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në proceset pigmentuese të lëkurës, por edhe ndriçon tonin e lëkurës dhe njëtrajtëson pigmentimet aktuale.
Në raste të rralla, nëse kam ndonjë irritim ose akne të papritura para ciklit menstrual, e zëvendësoj serumin me vitaminë C me acid azelaik. Acidi azelaik është një nga anti-inflamatorët e mi më të dashur për trajtimin e lëkurave akneike. Nuk shkakton fotosensitivitet, pra është i sigurt për përdorim në rutinën e mëngjesit. Ka veti antimikrobiale të shkëlqyera, pra vret bakteret që shkaktojnë akne, si dhe redukton inflamacionin dhe skuqjen. Shumë persona e përdorin acidin azelaik së bashku me serumin me vitaminë C, sepse nuk konfliktohen me njëri-tjetrin si përbërës. Ama mua më pëlqen të kem sa më pak shtresëzime produktesh në lëkurë gjatë ditës, ndaj zgjedh një mes të dyve.

Një tjetër hap i rëndësishëm në rutinën time është trajtimi i zonës së syve. Një pamje e hidratuar dhe e ndriçuar e zonës së syve të gjallëron gjithë fytyrën dhe, përveç kësaj, është lëkurë shumë e hollë dhe delikate që dëmtohet lehtësisht. Në rutinën e mëngjesit nuk e anashkaloj asnjëherë kremin e syve dhe përgjithësisht preferoj që të ketë në përmbajtje përbërës ndriçues që ndihmojnë me rrathët e errët, përbërës antioksidues për ta mbrojtur prej radikaleve të lira dhe që japin efekt antirrudhë për të shmangur sa më shumë krijimin dhe thellimin e vijave të mimikës.

Unë nuk përdor hidratues në rutinën e mëngjesit, ndaj hapi im i fundit i rutinës së ditës është mbrojtja ndaj diellit. Mua më pëlqejnë kremrat e diellit me filtra mbrojtës organikë, që kanë teksturë serumesh, ujore, të holla, hidratuese dhe të rehatshme. Përdor çdo ditë SPF50, e riaplikoj çdo 2–3 orë dhe aplikoj gjithmonë sasi bujare. Kam shumë kremra dielli të preferuar, të cilët kanë tekstura të rehatshme, nuk lënë shtresë të bardhë, nuk më djegin sytë dhe nuk më shkaktojnë irritime.

Rutina e darkës (4 hapa)
Kjo është rutina trajtuese e lëkurës. Fokusi kryesor i çdo rutine darke është trajtimi i problematikave të lëkurës (ose parandalimi i tyre, nëse jeni me fat).

Çdo rutinë darke e imja nis me pastrim të dyfishtë. Këtu po e bëj me hile, sepse hapi pastrues i darkës përfshin dy produkte: ujë micelar ose balm pastrues dhe larësin me bazë ujore. Me kalimin e viteve kam kuptuar që larësat vajorë nuk më pëlqejnë. Madje edhe balmet pastrues që më pëlqejnë janë shumë të rrallë dhe nuk i ndryshoj kurrë. Me kalimin e përdorimeve kam kuptuar që, sado thjeshtë të shpëlahet një pastrues vajor apo balm i pasur pastrues, më bllokon poret. Ndaj zgjidhja ime e sigurt është uji micelar i Biodermës, që nuk është i ashpër me lëkurën dhe pastron në mënyrë perfekte, ose balmi pastrues me enzima të papajës nga Glow Recipe, që nuk e ndryshoj tanimë prej shumë vitesh.
Produkti i dytë i hapit pastrues është larësi ujor. Mua më pëlqejnë larësat shkumues, sepse, sado e thatë të jetë lëkura ime, unë kam tendencë akneike dhe komedonesh. I know, crazy! Megjithatë, si lëkurë e ndjeshme, larësat, sado shkumues, i zgjedh fare të butë, duke iu kontrolluar surfaktantët dhe përbërësit shoqërues. Në fund të ditës, sado i butë të ndihet apo të marketohet një larës fytyre, nëse në përbërje ka irritues potencialë si soda e bukës, kripa e detit ose vajra esencialë, e dëmton lëkurën me përdorim të vazhdueshëm.

Pas pastrimit, në lëkurë të thatë, unë përdor gjithmonë një serum antirrudhë, që gjithashtu shërben si anti-akne, se unë vdes për produkte multifunksionale. Katër herë në javë retinol, dy herë në javë eksfoliues të butë kimikë dhe një natë pushim: vetëm hidratim.
Retinolit i detyrohet gjithë rezultati i “mirë” në lëkurën time. Madje, nëse nuk doni të shtoni një eksfoliues kimik në rutinë, retinoli mjafton dhe e mbulon trajtimin në rutinën e darkës më së miri. Duke nisur nga prodhimi i kolagjenit, parandalimi i thellimit të rrudhave, reduktimi i vijave të holla, veprimi anti-akne, veprimi njëtrajtësues i njollave, zbehja e pigmentimit post-inflamator — retinoli, nëse përdoret me kujdes, ndihmon në thuajse çdo problematikë.
Megjithatë, për një ekstra glow dhe veprim të dyfishtë, dy herë në javë unë përdor serumin me peptide dhe acid laktik të Skincode, i cili është një dozë gjallëruese dhe shkëlqyese në rutinën time. Është i butë, por bën diferencë të dukshme dhe kam shumë vite që e përdor. Madje në periudha të caktuara më pëlqente aq shumë pamja e shëndetshme që më jepte në lëkurë, sa e përdorja çdo natë në mënyrë të pashëndetshme (hahaha).

Pas hapit trajtues: kremi i syve. Është opsionale të kesh dy kremra sysh, një për ditën e një për natën, por unë përdor krem sysh me retinol çdo darkë. Është e vetmja zonë që i jap vetëm një ditë pushim nga retinoli në javë. Sigurisht, retinoli i fytyrës mund të mjaftojë edhe për zonën e syve, por unë i kushtoj rëndësi ekstra, sepse edhe tekstura e retinolit të syve që përdor prej vitesh (ai nga Youth Lab) më pëlqen shumë dhe nuk më skuq ose irriton asnjëherë. E zbut zonën e syve shumë mirë dhe më jep një pamje të ndriçuar të menjëhershme.

I fundit në rutinë: kremi hidratues. Ai që zbut dhe ushqen lëkurën, kyç gjithë hidratimin në lëkurë dhe mban barrierën të shëndetshme. Përgjithësisht përpiqem që kremrat hidratues t’i zgjedh të plotë, të pasur në përbërës antioksidues dhe ushqyes, por në të njëjtën kohë të mos më bllokojnë poret dhe të mos më japin irritime. Kjo duket pak e vështirë si detyrë, por nga testimet e dhjetëra produkteve përgjatë viteve kam arritur të gjej çfarë i shërben lëkurës time e çfarë jo.

Sa u bënë në total? 4 hapa dhe plot 7 produkte (ujë micelar, larës ujor, vitaminë C, retinol, krem hidratues, krem dielli dhe krem sysh).